Rriten pensionet në Gjermani!

Pensionistët në Gjermani mund të presin pensione dukshëm më të larta në vitin e ardhshëm.

Më shumë para në pleqëri – kjo është ëndërra e secilit njeri të moshuar. Rreth 21 milionë pensionistë në Gjermani mund të presin vitin e ardhshëm një rritje të konsiderueshme të pensioneve. Nga korriku i vitit 2022 pensionet do të rriten në pjesën perëndimore të Gjermanisë 5,2%, ndërsa në pjesët lindore 5,9 %, njoftojnë medita gjermane, transmeton Diaspora Today. Mediat gjermane i referohen një draft raporti të sigurimit të pensioneve.

Kjo është rritja e dytë më e lartë e pensioneve në pjesën perëndimore të Gjermanisë, sepse vetëm në vitin 1983 ka pasur një rritje prej 5,59 %. Ndërsa në pjesët lindore të Gjermanisë, pensionet janë rritur për herë të fundit në vitin 2016 me 5.95 përqind, e ngjashëm do të jetë pra edhe në vitin 2022. Gjatë këtij viti për shkak të pandemisë Corona nuk ka pasur ndonjë rritje të ndjeshme të pensioneve.

Rritje edhe me 2023

Kjo do të thotë se nëse tani dikush ka një pension mujor prej 1000 eurosh, me 1 korrik do të ketë edhe 52 euro më shumë në pjesët perëndimore ndërsa në ato lindore edhe 59 euro.

Në vlerësimet aktuale thuhet se edhe në vitin 2023 pritet një rritje e ngjashme e pensioneve: Në pjesët perëndimore ato mund të rriten me 4.9 përqind, ndërsa në lindje me 5.7 përqind. Por këto rritje janë të lidhura edhe me zhvillimin ekonomik dhe pasiguritë ekonomike, thonë ekspertët.

Autoritetet vlerësojnë se niveli i rezervave të fondit të pensioneve do të rritet pak këtë vit. Mendohet se në fund të vitit në këtë fond do të ketë rreth 37.2 miliardë euro. Ndersa në fund të vitit 2020 në armat e fondit kishte 37.1 miliardë. Në draftin e raportit të sigurimit pensional thuhet se “sigurimi ligjor i pensioneve i ka mbijetuar shumë mirë deri tani pandemisë”.

SHARE