Nuk është vetëm Gjermania, ja cili shtet tjetër po kërkon mjekë kosovarë

Dita ditës po zvogëlohet numri i mjekëve në Kosovë.

Përveç Gjermanisë për rekrutimin e mjekëve kosovarë, interesim së fundmi ka nisur të shprehë edhe shteti i Kuvajtit.

Kështu ka deklaruar për Express, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla. Ai ka thënë se që nga fillimi i këtij viti e deri më sot janë rreth 160 kërkesa nga ana e mjekëve kosovarë që kanë kërkuar vërtetime për etikën në punë, të cilët me anë të këtyre vërtetimeve mund të punësohen si mjekë në Gjermani.

E nëse vazhdon ky trend i ikjes nga shteti nga ana e stafit mjekësor, Kosova në një periudhë afatshkurtër rrezikon të futet në një kolaps shëndetësor.

Ikja e stafit mjekësor po paraqitet si një problematikë dhe shqetësim në Kosovë këto dy vjetët e fundit. Arsyet që ata po shkojnë kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku prin Gjermania si destinacion, ndërlidhen me pagat dhe kushtet më të mira për punë.

Gjatë ditës së hënë, Ministri i Shëndetësisë në Kosovë Uran Ismaili priti në takim ministrin e shëndetësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Jens Spahn. Zyrtari gjerman kërkoi që të përshpejtohen procedurat e vizave për infermierët kosovarë që kanë aplikuar për të shkuar në shtetin e tij.

Por, në shtetin me të cilin ministri kosovar pardje nënshkroi memorandum bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, tashmë janë me qindra mjekë e infermier kosovarë duke vepruar.

Sipas kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla në shtetin gjerman janë mbi 400 persona, staf mjekësor nga Kosova, që janë duke punuar si profesionistë mjekësorë.

Ai tha se prej janarit të këtij viti e deri më sot, 160 mjekë kanë kërkuar vërtetimet e etikës përmes së cilave ata po aplikojnë për punë në shtetet e Bashkimit Evropian.

“Po flitet që numri i stafit mjekësor që ka shku në Gjermani është diku rreth 400. Unë po e pres edhe një konfirmim nga Gjermania për këtë çështje. Sa i përket mjekëve veç këtë vit, të ashtuquajturat vërtetime për etikë e që janë indikacion se mjekët do të shkojnë, janë diku mbi 160 mjekë veç për këtë vit”, ka thënë për Express Syla.

Ai thotë se shumica e këtyre mjekëve që po kërkojnë të shkojnë jashtë Kosovës janë kuadro të reja.

“Shumica këta që po kërkojnë të shkojnë jashtë, janë mjekë të rinjë. Kemi edhe që janë të profesionalizuar si specialistë”, thotë Syla.

Ai thotë se nëse vazhdon ky trend i ikjeve të kuadrove mjekësore nga vendi, atëherë Kosova rrezikon të shkojë në një kolaps shëndetësor.

“Kjo dukuri është duke iu ndodhë shumë shteteve, e Kosova nuk u përjashtua nga kjo punë. Por kur t’ia shtojmë për kokë banori kemi më së paku mjek në regjion. Atëherë neve pas 10 viteve na pret një situatë kaotike se nuk është lehtë të formohet një doktor”, ka thënë kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Por krahas Gjermanisë që po kërkon mjekë e infermierë, tashmë është edhe një shtet tjetër me ndikim i cili po bënë thirrje për rekrutim të stafit mjekësor nga Kosova.

Sipas, Sylës, bëhet fjalë për Kuvajtin.

“Përveç Gjermanisë, mjek po kërkon edhe Kuvajti. Ata veç kanë shpreh interesim që të ketë mjekë nga Kosova”, thotë për Express Syla,.

E ndërkohë, Besa Baftiu, kryetare në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar për Express se ikja e profesionistëve shëndetësorë është brengosëse për Kosovën, duke pas parasysh që ne si vend nuk kemi numër të mjaftueshëm të infermiereve për kokë banori apo për pacientë.

“Sot një infermier në Kosovë kujdeset për 2 deri në 30 pacientë. Nëse marrëveshja është për rekrutim siç e dëgjova përmes mediave është shqetësuese. Mirëpo ne kemi nevojë për mjekë dhe infermierë në vendin tonë. Duhet t’i japim hapësirë që ata të punojnë në Kosovë”, thotë Baftiu.

Ajo tha tutje se ministri gjerman dje ka deklaruar për nevojën e infermierëve dhe mjekëve për operim në shtetin gjerman.

“Në mënyrë indirekte ministri i shëndetësisë gjermane tha që po kërkojnë infermierë në Kosovë sepse kanë nevojë. Mjekët prioritetet e kanë që ta kryejnë profesionin e vet, edhe ata e shohin se ku mund ta ushtrojnë. Nëse Gjermania ia ofron këtë punë, atëherë ata normalisht që e kërkojnë”, thotë ajo.

Tutje edhe Baftiu ka deklaruar se mosha mesatare e mjekëve familjarë në Qendrat e Mjekësisë Familjare edhe 55-57 vjeçar. Si pasojë e moshës sipas saj shumë mjek do të shkojnë në pension e kjo sipas saj rrezikon që Kosova të mbetet pa mjek ngase kuadrot e reja po ikin në Evropë.

Sidoqoftë, ndonëse po konsiderohet shqetësues fakti i ikjes së mjekëve nga Kosova, profesionistë shëndetësorë po thonë se në anën tjetër se nuk ka një strategji për mbajtjen e tyre në vend. Derisa sipas statistikave të fundit thuhet se janë mbi 400 mjekë specialistë që tashmë ndër vite kanë ikur nga Kosova

SHARE